Ana Bërnabiq: Vjosa Osmani më provokoi në samitin e sotëm

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të enjten, pas takimit në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Turqi, se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje vendeve pjesëmarrësve që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Para takimit, nikoqiri i takimit, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka mirëpritur pjesëmarrësit, duke përfshirë presidentët e Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore, Millo Gjukanoviq e Stevo Pendarovski, kryetarin e Presidencës së BeH, Millorad Dodik, kryeministrin, kroat Andrej Plenkoviq, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe të tjerët.

Bërnabiqi ka thënë pas takimit se fjalimi i Osmanit në këtë takim flet për mungesën e mirësjelljes politike të përfaqësuesve të Kosovës, raporton “Tanjug”.

“Pati provokime dhe unë u përgjigja shkurtimisht, sepse nga respekti për nikoqirët, nuk doja të hyja në ndonjë diskutim me të”, u ka thënë Bërnabiqi gazetarëve.

Unë nuk kam dashur të merrem me këtë. Me atë fjalim. Ajo foli më së miri për veten e saj dhe mirësjelljen e tyre politike, domethënë për mungesën e saj”, ka thënë Bërnabiqi.

Kryeministrja serbe ka thënë se Osmani nuk ka votuar kundër dokumenteve – Deklaratës dhe Raportit Vjetor, si dhe Dokumentit Strategjik për Evropën Juglindore 2030. Sipas Bërnabiqit, ajo vetëm ka shprehur rezerva, por ka lejuar që dokumentet të miratohen.

“Në çdo vend ku përmendet Kosova, nuk ishte vetëm me yll, por me shënim në fund të faqes”, ka thënë Bërnabiqi.

Zyra e Presidentes, ka thënë të enjten përmes një deklarate për media se në këtë samit, i cili sivjet është mbajtur për herë të 25-të, presidentja Osmani të fliste lidhur me qëndrimet e Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik.