Befason Vuçiç: Albin Kurti ka të drejtë!

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë sot se plotësisht pajtohet me deklaratën e kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurti, se asgjë që arrihet nën presion nuk ka vlerë.

Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiç, ia ka përkujtuar kryeministrit të Kosovës se “është edhe më pak e vlefshme gjithçka që është rezultat i forcës direkte, siç ishte rasti me ‘agresionin NATO-s, për t’ia marrë Kosovën Serbisë”.

Mediat serbe e citojnë një deklaratë të Kurtit për “Frankfurter Algemaine Zeitung”, ku thotë se “nënshkrimi ose pëlqimi për diçka të arritur përmes kërcënimeve ose detyrimit nuk mund të jetë i vlefshëm dhe nuk ka validitet e legjitimiteti”, kurse Vuçiç thotë se “kjo është e vetmja gjë me të cilën jam dakord me Kurtin”, përcjell Telegrafi.

Ai tha se deklaratën e Kurtit do ta përsëris kudo, sepse, siç shpjegoi ai, ajo nënkupton që gjithashtu edhe më pak vlen gjithçka që është fituar me forcë.

“Kurti duhet të ketë parasysh se gjithçka që është arritur me forcë, dhe nga agresioni kundër Serbisë, nga agresioni i tmerrshëm i 19 vendeve kundër Serbisë, që është më shumë sesa një kërcënim dhe është një detyrim i drejtpërdrejtë, duhet të ketë një devijim edhe më të qartë sesa ndaj deklaratave të dikujt dhe diçka që nuk paraqet detyrim… “, ka thënë Vuçiç.

Ai tha se Serbia do të presë që Kosova të heq taksat ndaj mallrave serbe, dhe tha se atëherë Serbia nuk do të falënderohet për këtë.

“Nuk do t’ju themi faleminderit kur të heqin taksën, por do të tregojmë se sa dëm na kanë shkaktuar, të kundërligjshëm, çfarë krejt kanë kundër vendit tonë dhe popullit tonë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë, të përpiqemi që në të ardhmen ky dëm të jetë më i vogël”, tha Vuçiç para gazetarëve.

Presidenti serb tha se qëndrimi i Amerikës ndaj Kosovës për heqjen e taksës është shumë racional dhe parimor.