Kjo do t’i ndodhë Kosovës nëse formohet asociacioni

Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është një nga temat më aktuale dhe të cilin e kërkojnë serbët, por që kryeministri Kurti nuk ka dashur as të flas për të në takimin e mbajtur në Bruksel së fundmi, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë e ka kërkuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, i cili ka thënë se, “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe”.

Kurse, kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë Asociacion njëetnik.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka deklaruar Kurti.

Mirëpo, për formimin e Asociacionit ka reaguar edhe profesori në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir, i cili ka thënë se Asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës.

“Mendoj se Kurti ka plotësisht të drejtë. Nuk mund të kemi Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv, sepse një gjë e tillë do t’ia lejonte Serbisë të ketë fuqi ekzekutive mbi këto komuna.

Kjo do të nënkuptonte dhënie të këtij territori Serbisë. Ne nuk duam të kemi ndryshime territoriale. Prandaj, në pikëpamjen time, Kurti duhet t’i rezistojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse i njëjti synon të fitojë fuqi ekzekutive, ku Serbia do ta mbikëqyrte atë lloj fuqie. Që do të nënkuptonte se ata do ta kontrollonin atë territor për qëllimet e veta.

Por, çdo Asociacion normal mes dy vendeve, mund të sjell normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve, edhe pa fuqinë ekzekutive që do t’i jepej Serbisë mbi këto komuna.

Kjo është e mundshme. Nuk do të thotë se duhet të jetë e tëra ose asgjë, por mund të jetë një lloj marrëdhënie e tillë, e cila do të siguronte se Serbia nuk do të ketë fuqi ekzekutive në këto komuna”, ka deklaruar ai.

Kurse, analistët kanë vlerësuar se krijimi i Asociacionit rrezikon ekzistencën e Republikës së Kosovës.
Krasniqi: Me krijimin e Asociacionit rrezikohet ekzistenca e Kosovës sepse brenda saj krijohet një Bosnje e dytë