“Kosova të marrë Tropojën, Kukësin, Hasin”

Kastriot Myftaraj:

Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një pjesmarrje të tij në emisionin “Oxygen Show”të gazetarit Besim Dina në KTV bëri një deklaratë që duhet të kishte përbërë një lajm të madh, pasi shpesh ka ndodhur që ndryshimet e mëdha të nisin me një deklaratë ashtu si të rastësishme.

Drejtuesi i emisionit i flet ish Presidentit për idenë e shkëmbimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, Leposaviqi është një komunë në veriun e Kosovës.

Kurse ish presidenti Thaçi e tërheq vëmendjen në një drejtim të ri, prej Leposaviqit në Has. E tërheq vëmendjen në një ndryshim kufijsh Shqipëri-Kosovë, ku Kosova merr territore të Shqipërisë.

Më tej ndërsa drejtuesi i emisionit vazhdon dhe flet duke iu referuar Maqedonisë, pse jo një ndryshim kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë, ish presidenti Thaçi e kthen përsëri vëmendjen në Tropojë dhe Kukës. Pra përsëri drejt Shqipërisë.
Kur ish Presidenti Thaçi kërkon që të marrë nga Shqipëria me korrigjime territoriale siç i quan ai, apo me ndryshime kufijsh, tre bashki të veriut apo krejt qarkun e Kukësit.

Këtu ka një llogari të thellë, nuk është thjesht një ide kështu meqenëse kjo zonë ka një afërsi të madhe kulturore me Kosovën, përveçse gjeografike.

Popullësi shqiptare janë në të dy anët e kufirit, por këta ndajnë tradita më të afërta me Kosovën, pra Tropoja, Hasi dhe Kukësi.

Por këtu ka një llogari dhe më të thellë akoma. Kosova ka mungesa të mëdha uji. Me korrigjimet e kufijve që thoshte Thaçi, apo me ndryshimet e kufijve që duket se do të jenë në praktikë,vështirë se mund të mbahet premtimi për kontrollin nga ana e Kosovës të liqenit të Ujmanit që ndodhet në Kosovën veriore të kontrolluar nga serbët.

Liqeni i Ujmanit furnizon nevojat kryesore me ujë për industrinë elektrike të Kosovës, ftohjen e TEC-eve por edhe për qytetin e Prishtinës.Kosova ka mungesa të mëdha në burime ujore, kjo është e njohur.
Qëllimisht në kohën e ish-Jugosllavisë u zhvendos kryeqyteti. Në fillim mendohej të ishte Prizreni ku kishte burime ujore të Drinit të Zi dhe u zhvendos në Prishtinë, burimet ujore të së cilës vareshin nga territore në afërsi të Serbisë, pra Kosova të ishte e varur nga Serbia.

Nëse Kosova merr këto tre bashki në territorin e Shqipërisë, ku bëhet fjalë për 2380 km katrorë, por ku është një pjesë e madhe e pellgut të Drinit dhe krejt liqeni i Fierzës. Është një liqen më i madh se i Ujmanit. Dhe nëse Kosova humb liqenin e Ujmanit, siç duket do ta humbë, liqeni i Fierzës do të mjaftonte për të plotësuar ato nevoja. Po kështu një pjesë e pellgut të Drinit gjendet në Kosovë, me Drinin e Bardhë.

Duke marrë këto tre bashki, Kosova zotëron gjysmën e pellgut të Drinit që ndodhet brenda kufijve të Shqipërisë, Drinit të Bardhë, Drinit të Zi dhe Drinit të bashkuar.

Me këto ndryshime, Shqipëria zbret në 25470 km katrorë, kurse Kosova rritet me 13270 km katrorë plus-minus.

Përveç kësaj, në këtë zonë ka miniera të mëdha kromi, burime të mëdha bakri, boksitesh. Është zonë me pasuri të madhe.