Në Kosovë punë ka, punëtorë jo

Ka një muaj që ka hapur konkurs për të punësuar të paktën 10 persona.Por, Hotel “Solid” në Suharekë vazhdon të jetë në “krizë” për punëtorë.
Aktualisht ka vetëm 15.Sipas menaxherit të këtij hoteli, Pajtim Kuqi, emigrimi i të rinjve në shtetet tjera po e lë Kosovën pa fuqi punëtore.

Arsye tjetër, Kuqi përmend “mungesën e kuadrove”.“Një ndër arsyet pse ka mungesë të punëtorëve në sektorin e gastronomisë mendoj se duhet të hapet drejtimi për shkollim në këtë sektor për krijimin e kuadrove të reja për cilësi të mirë në gastronomi”, tha ai për Gazetën Online Insajderi.

Se bizneset e hotelerisë kanë mungesë të dukshme të punëtorëve e thotë edhe kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva.Ai tha se kohëve të fundit në odë kanë pranuar ankesa nga biznese të cilat po përballen me mungesë të stafit, pasi janë pajisur me viza pune për të dalë jashtë vendit.

“Mungesa po shihet, ka ankesa sidomos prej hoteleve që kanë numër më të madh të punëtorëve. Kohëve të fundit kemi biznese që janë ankuar te ne se kanë mungesë të dukshme të stafit pasi kanë gjetur viza për të dalë jashtë vendit dhe e kanë lënë punën. Është vërtetë një problem”, deklaroi Sogojeva për gazetën.

OHK-ja sipas tij, është angazhuar për të ‘kombinuar’ mungesën e punëtorëve në biznese me ato që kanë më tepër staf.I pyetur se a janë kushtet jo të mira të punës në sektorin e hotelerisë një ndër arsyet që të rinjtë po e lënë vendin, Sogojeva tha se “jo, sepse asnjë më nuk punon për 250 euro”.“Por, edhe ata që pretendojnë për më shumë duhet ta kuptojnë se në Kosovë janë, duhet ta duash vendin tënd. Një biznes në Gjilan ka hapur konkurs me rrogë një mijë euro dhe s’po gjen punëtorë”.

Agjencia e Punësimit përmes Zyrave të Punësimit gjatë vitit 2020 ka regjistruar 11 mijë e 166 vende të lira të punës. Krahasuar me të dhënat e vitit të kaluar është shënuar një rënie prej 28.6%.Bazuar në të dhënat e dërguara nga Ministria e Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Insajderi-n, sektori i hoteleve dhe restoranteve është sektori i dytë për nga sasia e vendeve të lira të punës të hapura me 19.9%./Insajderi.com