Ramush Haradinaj: Pse Albin Kurti po fshehet e po i ikë Amerikës

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për dialogun mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se nga diskutimi i kryeministrit Kurti, konstatoi që është një ikje dhe një fshehje.

Haradinaj e konsideron Kurtin një udhëheqës i cili nuk e di pse, por e ka zgjedhur ikjen dhe fshehjen.

“Pra sot nuk kemi para nesh një kryeministër, por sot kemi një udhëheqës i cili nuk e di pse, por e ka zgjedhur ikjen dhe fshehjen. Pse e them ikjen dhe fshehjen? Tani t’iu them të drejtën nuk e kam të qartë prej kujt po ikë dhe prej kujt po fshehet. A po ikë prej VV-së ndaj kauzës që kanë ndërtu ndër vite, ndaj njerëzve që i kanë besu, ndaj atyre që i kanë qitë deri në sakrifica sublime deri në flijim, ndaj atyre që shpresojnë e presin prej tij një kauzë të drejtë në çështjen e dialogut.”, ka thënë lideri i AAK-së.

Haradinaj ka shtruar pyetje se përse kryeministri Kurti po ikë dhe po i fshehet Amerikës?

“Pse kryeministri ynë po ikë e po i fshehet Amerikës? Është e habitshme kur ish kryeministri i lajmëron marrëveshjet e mëhershme dhe thotë se krejt çka ka mbetë është njohja reciproke. Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit të Amerikës – me i kërku një të ngarkuar special, një emisar special, për njohjen reciproke?”, ka thënë në fjalën e tij i pari i AAK-së.

Sipas tij, një shqiptar nuk ka arsye me u frikësu prej presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Pse nuk po guxojmë t’i kërkojmë Amerikës rolin e vet që i takon në këtë çështje duke e ditë se çështjet e mëdhaja nuk kryhen pa Amerikën? Duhet të mendojmë të gjithë pse nuk po i shkruajmë për çështjen e statusit final? Nëse ne frikësohemi prej këtij presidenti të amerikës, si do të presim prej një presidenti të ardhshëm. Nuk besoj që një shqiptar ka arsye me u frikësu prej presidentit Biden. Pse? Pse? Pse? Ka diçka që jep pikëpyetje”, përfundoi Haradinaj. /Reporteri.net