Rikthehen turistët polakë në Shqipëri, por në krye qëndron turizmi patriotik

Turistët shqiptar nga Kosova kanë dominuar hyrjet e shtetasve të huaj edhe gjatë majit, e duket se do të shpëtojnë edhe këtë vit sezonin

Instat raporton se muajin e kaluar kanë hyrë në vend 143.9 mijë shtetas kosovarë, gati dyfish më shumë se në vitin 2019, një fluks i pritshëm me mbarimin e muajit të Ramazanit dhe ngrohjen e motit.

Lehtësimi i masave bllokuese ka përmirësuar bilancin e vizitorëve të huaj gjatë majit, duke bërë që të vijnë në vend 328.7 mijë në total, ndjeshëm më shumë se në 2020, por me gjithë përmirësimin në rezulton në rënie në raport me vitin normal 2019.

Ndërsa gjatë 5-mujorit të parë në vend kanë hyrë mbi 1 milionë vizitorë të huaj, rreth 1.8 herë më shumë se vitin që lamë pas ku më shumë se gjysma e tyre janë turistë nga Kosova.

Masat e lehtësuara në vend duket se kanë rikthyer fuqishëm polakët që gjatë pesëmujorit pothuajse janë 5-fishuar, teksa rritje të ndjeshme kanë parë edhe vizitorët nga Zvicra dhe vendet e rajonit si Maqedonia e Mali i Zi.