“Shkarravina” marrëveshjet e Kosovës me Serbinë: Asociaconi ia vë Kosovës lakun në fyt

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, është shprehur se ky institucion ka bërë botime të rëndësishme, me gjithë vështirësitë që ka shkaktuar pandemia.Në një intervistë për KlanKosova, Kraja ka folur për punën në Akademi, por edhe një sërë procesesh me të cilat përballet vendi ndër vite; si dialogu me Serbinë, “Mini Shengeni Ballkanik”, marrëdh ënien Kosovë-Shqipëri…Sa i përket procesit dhjetëvjeçar të dialogut Prishtinë-Beograd, Kraja ka veçuar marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që vlerëson se më të i është vënë laku në fyt shtetit të Kosovës. Ndërkaq marrëveshjet tjera për kryeakademikun kosovar, janë veç “shkarravina”.

“Merrni marrëveshjet që janë arritur me Serbinë (Akademia i ka botuar), lexojini me kujdes dhe do të shihni se të gjitha janë “shkarravina” pa asnjë vlerë, me përjashtim të asaj për “Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës”, e cila ia vë lakun në fyt Kosovës”, është shprehur Kraja.
“Thënë shkurt, të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë një vijë të kuqe: që të mos preket me asnjë fjalë Rezoluta 1244 e OKB-së dhe që Serbia të konsiderojë Kosovën “territor të brendshëm”.

A e dinë njerëzit tanë se në të gjitha marrëveshjet Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, në të gjitha, pa asnjë përjashtim! Dhe tani i vihet Kosovës laku në fyt për Asociacionin, i thuhet se ajo është marrëveshje ndërkombëtare dhe se ajo “i mbikalon” të gjitha dispozitat kushtetuese dhe se ajo duhet të zbatohet me çdo kusht”.

Kraja ka potencuar se “Mini Shengeni Ballkanik”, po të ishte ide mirëfilli do të duhej të përkrahej, por ky i tanishmi për të është bërë me prapavijë.

Në këtë intervistë, Kraja ka paralajmëruar edhe ardhjen e librit të tij të radhës.