“Shqiptarë as nuk dini ta bëni shtetin as nuk jeni të zotët të udhëhiqni shtet!”

“DJEMTË E PADENJË TË KOSOVËS NËNË
Në Kosovë ka vetëm dy politikanë, të paanashkalueshëm, i treti nga LDK-ja duhet të shfaqet pas ikjes së Isa Mustafës nga drejtimi i saj. Dhe ata të dy janë aq të ndryshmit mesvete dhe aq të hasmuarit me njëri-tjetrin – Albin Kurti dhe Hashim Thaçi. I pari inteligjent, idealist e parimor, i dyti më shumë dinak se sa inteligjent. I pari ende sfidant për komunitetin ndërkombëtar, i dyti i dëshmuar në kooperativizëm dhe kryerje detyrash të ngarkuara. Të tjerët janë pështjellaçë stërvinarë të thjeshtë.

Salih KABASHI
Këto ditë jo me pak inat kam kujtuar replikën e një politikani serb, akademikut dhe filozofit të shquar Mihailo Markoviq, në njërin nga ato takimet (1996 deri 1998), me « përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosmetit », siç shprehej ai me përqeshje. Duke mos guxuar të përmendnin as me një R fjalën Republikë, pjesëtarët e delegacionit shqiptar kërkonin nga Serbia « subjektivitet politik », një formulim që në asnjë rast nuk nënkuptonte asgjë më shumë se, eventualisht, rikthim të Kosovës në pozitën e saj autonome që ajo e kishte pasur me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974. Politikani e akademiku serb, ligjërues në shumë universitete evropiane, amerikane e kanadeze, duke i parë se si përfaqësuesit shqiptar, shumica ose ish-funksionar në ish-Jugosllavi ose juniorë të Lidhjes së Rinisë Socialiste, nuk po thonin gjë esenciale, pos vërtitje si thonë serbët, « si shiu rreth Kragujevcit », duke kërkuar mëshirë e duke vajtuar heqjen e autonomisë, ua kishte përplasur :
« E patët autonominë, nuk ditët ta mbanit… Hajde tash, le të themi se po ua japim edhe Republikën ! Çka do të bënit ju me atë Republikë tuajën? Asgjë ! Sepse ju, miq të nderuar, as nuk dini ta bëni shtetin as nuk jeni të zotët të udhëhiqni shtet ! »

Fjalë të rënda ! Nuk besoj se fjalët e filozofit e politikanit serb shprehnin të vërtetën, por për të kuptuar se diçka e rrezikshme ç’prej atëherë e deri sot po ndodh me elitën politike të shqiptarëve, as kjo nuk don shumë manâ…
Dhe tash nuk mund t’i shmangem edhe një citati të një serbi tjetër, Dobrica Qosiq, edhe ai akademik, edhe shkrimtar në zë, kur më 15 nëntor 1985 në Restaurantin Mrak në Lubjanën e Vjetër në Slloveni, kolegëve të tij sllovenë, kur kishte ra fjala për raportet në perspektivë të Kosovës me Serbinë, u kishte thënë këto fjalë :
« Serbia kaherë e ka humbur Kosovën. Një ditë ne do të detyrohemi ta braktisim atë përgjithmonë. Por, me atë rast ne do ta bëjmë Kosovën tokë të djegur… Jo vetëm kaq. Shqiptarët do t’i hedhim 50 vjet mbrapa… ».

Këto dy parashikime kobzeza të dy serbëve të njohur (po, edhe për racizmin ndaj shqiptarëve), sot del se nuk ishin vetëm propaganda e antipropaganda të thjeshta e të kota ballkanike, ku secili urren e shan secilin. Ata sikur kishin hyrë brenda shpirtit të shqiptarit dhe atje sikur kishin gjetur zilinë e urrjetjen e tyre për njëri-tjetrin.

Me plasë nga inati : Kosova sot nuk jeton më nën gjendje shtetrrethimi, pranie të frikshme policore e ushtarake serbe, ajo nuk përbuzet nga pakica e favorizuar serbe e malazeze… Kosova ka jo vetëm republikën por edhe disa vjet nga pavarësia e saj e proklamuar. E ajo pothuajse nuk din çka të bëjë as me republikën as me pavarësinë e saj. Nëse në gjithë këtë ajo (udhëheqja kosovare nga 1990 e deri sot) megjithatë din diçka, atëherë është ajo se din që gjithçka ta bëjë mbrapsht e sa më keq ose të mos bëjë asgjë.

Dy serbëve të shquar, kur sheh gjendjen e Kosovës kështu siç është, në kaos dhe për faqe të zezë, nuk ke se si të mos ua pranosh profetizimin e tyre të tmerrshëm por të saktë lidhur me jokapacitetin tonë për të ngritur shtet dhe për të shmangur humnerën që Serbia na hapi pas djegies më 1998-1999.
Vetëm le të shohim periudhën pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe nuk do të shohësh asgjë normale për një shtet. Liderët partiakë, jo vetëm para e gjatë zgjedhjeve, por edhe tash kur pak a shumë dihet cilët fituan më shumë e cilët më pak vota, ende pa dalë rezultatet zyrtare përfundimtare, prap jetojnë, shkunden e tunden në dalldinë se secili nga ata është kryeministri i ardhshëm. Zor të gjesh situatë të ngjashme cirku në krejt botën.
Përndryshe, do ta kemi vështirë të kontestojmë profecitë serbe lidhur me të ardhshmen e zymtë shqiptare”.