Universiteti në Mitrovicën e Veriut, jashtë kontrollit të Kosovës

Universiteti paralel në Veri të Mitrovicës, vepron vepron jashtë kompetencave të Ministrisë së Arsimit. Këtë e ka konfirmuar vetë kjo ministri.

Me para të Qeverisë serbe të martën, nisen punimet për ndërtimin e objektit të ri, të të ashtuquajturit “Universitet i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”. Ky universitet numëron rreth 7500 studentë.

“Universiteti nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe as që është a kredituar nga Agjencia e Kosovës për A kreditim. Për këtë arsye, ky Universitet nuk financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës.”, u tha në përgjigjen e MASHTI-t

Pasi tha se habitet me mos reagimin e institucioneve qendrore të Kosovës, lidhur me këtë çështje, ish- profesori i UP-së, Milazim Krasniqi tha si ai është Universitet Serb.

“Politikanët tonë kanë pafytyrësinë që të gënjejnë që gjoja janë të integruar por serbët punojnë me programe të tjera dhe jashtë strukturave. Kjo tregon edhe pafytyrësi të komunitetit ndërkombëtarë i cili lejon këtë lojë të dyfishtë.”

Mes tjerash, Krasniqi tha se Qeveria duhet me urgjencë të veprojë me hapa konkret.

Ndërsa njohësi i Arsimit, Rinor Qehaja, tha se procesi mësimor në atë Universitet bije në kundërshtim me sistemin e arsimit në Kosovë.

“Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë të Veriut është jashtë çdo kontrolli administrativ të qeverisë së Kosovës, dhe për rrjedhojë gjithçka çka bëhet aty çoftë akademikisht apo profesionalisht shkon në kundërshtim me sistemin e arsimit universitar në vendin tonë.”

Madje sipas Qehajës, kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel.

Objekti i ri i universitetit paralel, parashihet të ketë pesë kate në hapësirë të përgjithshme prej 10 mijë e 500 metrash katrorë.