“Urdhri ka ardhë nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ky është kryetari i ri i PDK-së

Më 3 korrik, Partia Demokratike e Kosovës do ta zgjedh kryetarin e ri, i cili në këtë pozitë do ta pasojë Kadri Veselin, i cili po qëndron i burgosur në Hagë, ku ndër tjerash akuzohet edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

Tashmë zyrtarisht, vetëm deputeti Memli Krasniqi është ai i cili e ka shpall kandiaturën e tij për kryetar të PDK-së.

“Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithsecilin që do dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore”, tha Krasniqi.

“Për këtë rrugëtim, unë jam tejet krenar. E di që të ecësh pas hapave të dy liderëve tanë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk është e lehtë. Përkundrazi, është përgjegjësi shumë e madhe”, deklaroi ndër tjerash Memli Krasniqi pasi shpalli kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së.
E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, Memli Krasniqi do të jetë kryetari i ri i PDK-së. Sipas tij, kjo do të ndodhë më urdhër të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

\
“S’ka dyshim, Memli Krasniqi do të jetë kryetar i ri i PDK-së, tanimë pothuajse ka mbetur vetëm t’i bëhet amini, sepse urdhri nga Kadriu dhe Hashimi ka mbërritur në zyrat e partisë”, thotë Mehmeti.

Ai shton se në PDK do të shpërthejnë përplasje të mëdha pas kuvendit zgjedhor.

“Natyrisht se do të ketë përplasje, ka tri grupe që janë në konfrontim me njëra tjetrën, dhe të cilat mezi po presin për të shfaqur secila nga ato forcën e tyre. Megjithatë kjo nuk e ndryshon faktin se Memli do të jetë kryetar, pro pritet të ketë dorëheqje të shumta, kryesisht të atyre që janë moti në parti, e të cilët do të ndjehen se nuk janë të përfshirë sa duhet në strukturat vendimmarrëse”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.