Vetëm dy ditë pasi u bë kryetar, kërkohet largimi i Memli Krasniqit nga ky post

Njohësi i çështjeve politike Adem Bytyçi, ka kërkuar largimin e Memli Krasniqit, nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Teksa e ka quajtur “personalitet kontrovers” Krasniqin, Bytyçi ka thënë se zgjedhja e tij kryetar i PDK-së do të reflektojë negativisht në suksesin e kësaj partie në zgjedhjet lokale, që do të mbahen në tetor, përcjell Bota sot.

Ai ka kritikuar Krasniqin, se kishte larguar nga zyra fotografinë e Shën Terezës, humanistes shqiptare të përmasave botërore.

Reagimi i Bytyçit, dërguar në “Bota sot”:

Zgjedhjet për kryetar të PDK-së, pa kundërkandidat, pak “rëndësi” ka se ishin “demokratike”.

Më e keqja ndër të gjitha t’mirat e mundshme në këto zgjedhje është zgjedhja Kryetar partie e Memli Krasniqit, një politikani i cili e kishte larguar nga zyra foton e Shën Terezës, humanistes shqiptare të përmasave botërore, dhe pse i tillë premton për t’ia “ngritur” imazhin të rënë për tokë partisë tij.

Personalitetet politike të tilla kontraverse, të cilat përdhosin vlerat kombëtare shqiptare, siç është rasti i Memli Krasniqit ndaj Shën Terezës sot, e ndoshta nesër edhe ndaj Skënderbeut heroit tonë kombëtar, jo vetëm që nuk do duhej të zgjidheshin në krye të as një partie politike shqiptare, por do duhej të largoheshin përfundimisht nga skena politike e Kosovës si persona non grata të politikës shqiptare kosovare.

Nuk është se në këtë parti nuk ka pasur personalitete më të devotshme dhe më vizionare se Memli Krasniqi, për t’u zgjedhur Kryetar partie, por zgjedhja e tij kryetar vetëm sa mund të dëmtojë të ardhmen politike të PDK-së, sepse shumë kush kur të informohet se i përkëdheluri i partisë Memli, është sjellë me aq pak respekt ndaj një figure aq madhore kombëtare shqiptare siç është Shën Tereza, foton e së cilës me shumë respekt dhe krenari e mbajnë në zyrat e tyre shumë burrë shtetas botëror të njohur, shumë qytetarë të Kosovë do të ikin nga PDK-ja, për të aderuar në subjekte tjera politike.

Tani, zgjedhja e Memli Krasniqit, kryetar i PDK-së, dhe raporti aq negativ i tij me Shën Terezën, do të reflektojë shumë negativisht edhe në suksesin e PDK-së, në zgjedhjet lokale të cilat me gjasë do të mbahen në muajin tetor 2021.

Sa më parë largimi i Memli Krasniqit, nga posti i Kryetarit të PDK-së, aq më mirë për këtë parti, edhe pse ashtu kësaj partie i duhet të bëjë shumë reforma kuadrovike dhe të tjera politike për t’ia rikthyer qytetarëve besimin në këtë parti për t’i bindur qytetarët se, nuk është kjo ajo parti e cila dikur e kishte keqqeverisur vendin dhe Kosovën e konsideronte bashqe të babës dhe pasuritë e Kosovës pasuri të bashkëpartiakëve të saj e jo pasuri e të gjithë qytetarëve të Kosovës.